
Një shofer është gjobitur me 500 euro, pesë pikë negative dhe 12 muaj ndalim të drejtimit të automjetit, pasi u identifikua duke vozitur me shpejtësi prej 155 km/h në një zonë ku shpejtësia e lejuar është 50 km/h.
Rasti ishte raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit mobil “Lajmëro Policinë”, ndërsa më 28 gusht 2026, në rrugën Sopijë–Savrovë të Suharekës, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Suharekë, identifikoi kundërvajtësin dhe ndaj tij shqiptoi vendimin për kundërvajtje.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin shpejtësinë e lartë dhe sjelljet e rrezikshme, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Sipas Policisë, qytetarët në të gjithë Kosovën po vazhdojnë të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë” për të raportuar dyshime për shkelje të ligjit, përfshirë edhe kundërvajtjet në komunikacion.