Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Procesi gjyqësor për sulmin në Ibër-Lepenc, në seancë paraqiten prova nga ekspertiza e FBI-së

Gazeta10
09 July 2026 - 11:15

Ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. Në fjalën hyrëse, prokurori special Bekim Kodraliu ka deklaruar se Prokuroria do të paraqesë prova për të mbështetur pretendimin se të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulm.

Kodraliu ka bërë të ditur se ndër provat kryesore janë edhe rezultatet e ekspertizës së Byrosë Federale të Hetimit (FBI), e cila ka analizuar mostrat e baltës dhe dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.

“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe ato mostra i kanë krahasuar edhe me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes, si dhe në tri vende të tjera të ndryshme, me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurve”, ka deklaruar Kodraliu.

Sipas tij, konkluzionet e ekspertëve tregojnë se mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy të akuzuarve kanë pasur karakteristika të njëjta me mostrat e dheut të marra në vendin e ngjarjes.

“Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së është se mostrat e çizmeve të të pandehurve, për dallim nga mostrat e marra në tri lokacione të tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristikat tjera fizike me dheun e marrë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Kodraliu.

Prokurori ka deklaruar gjithashtu se gjatë procesit gjyqësor do të paraqiten prova edhe për pretendimin se Qeveria e Serbisë ka pasur rol në përgatitjen e sulmit.

“Do të paraqesim prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet konkrete që sipas provave janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Livadhet e pasulit’ në Republikën e Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas Kodraliut, këto prova, së bashku me dëshmitë nga raste të mëhershme, do të shërbejnë për të mbështetur pretendimet e Prokurorisë lidhur me rolin e pretenduar të institucioneve të Serbisë në përgatitjen e sulmit.

Në këtë proces gjyqësor, të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen.

Shqyrtimi gjyqësor ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa trupi gjykues përbëhet nga Vesel Ismaili, kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Kujtim Krasniqi e Leon Përlaska.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i akuzon të pandehurit për sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, i cili kishte shkaktuar dëmtim të infrastrukturës së kanalit dhe ndikim në furnizimin me ujë të pijshëm dhe furnizimin me ujë për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen me vepra penale që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues, kryerjen e veprës terroriste, armëmbajtjen pa leje dhe, në rastin e Jovan Viqentijeviqit, edhe spiunazhin.

Të akuzuarit vazhdojnë të konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.