
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës dhe krimet në fshatrat përreth rajonit të Gjakovës.
Ashtu si në seancën fillestare të 16 qershorit 2025, asnjëri nga 53 të akuzuarit nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit. Gjykimi ndaj tyre zhvillohet në mungesë, ndërsa të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Seanca e sotme është mbajtur pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u kishte dhënë kohë shtesë të akuzuarve për t’u paraqitur në seancë. Megjithatë, as këtë herë nuk ka pasur të akuzuar të pranishëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte mbajtur seancën e parë fillestare për këtë rast më 16 qershor 2025.
Në atë seancë, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra kishte deklaruar se gjykata nuk kishte informacion për vendndodhjen e të akuzuarve, ndërsa prokurori Ilir Morina kishte bërë të ditur se për ta ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.
Krimi në Mejë dhe fshatrat përreth ka ndodhur në prill të vitit 1999, ku, sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, u vranë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Trupat e viktimave u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Aktakuza është ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe është plotësuar në prill të vitit 2024. Ajo përfshin 53 persona, ndërsa njëri prej të akuzuarve kryesorë është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë, Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.