
Fotografi dhe dokumentuesi i luftës në Kosovë, Esat Shala, në emisionin “Dritë” në Kanal10 ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Hagë do t’u prezantojë mediave ndërkombëtare materiale dhe incizime që dokumentojnë masakrat më të rënda të kryera në Kosovë gjatë luftës.
Shala ka treguar se është kontaktuar nga disa prej mediumeve më të njohura ndërkombëtare, përfshirë CNN dhe Al Jazeera, si dhe nga media gjermane dhe holandeze.
“Unë i kom përzgjedh prej masakrave më të rënda në Kosovë që kanë ndodh. Në Hagë më presin disa mediume botërore të cilët më kanë kontaktuar si CNN, Al Jazeera, dhe disa mediume gjermane, holandeze”, ka thënë Shala.
Ai ka bërë të ditur se përmes laptopit të tij do t’u shfaqë gazetarëve incizime dhe materiale dokumentuese, përmes të cilave synon të tregojë vendndodhjet e masakrave, numrin e viktimave, datat kur kanë ndodhur dhe detaje të tjera.
“Përmes llaptopit tim do t’i shfaq ato incizime dhe me ju tregu botës se ku kanë ndodh ato masakra dhe në cilën pjesë të Kosovës, sa ka qenë numri i të vdekurëve, data se kur kanë ndodhur këto masakra dhe shumë detaje të tjera”, ka deklaruar ai./Gazeta10