
Pas ministres së Jashtme dhe kryeministrit, edhe presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar se ka një iniciativë franko-gjermane për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Madje, Osmani e ka quajtur serioze këtë nismë të dy shteteve aleate. Por, opozita ka hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti për mostransparencë në këtë proces. Njohësit e dialogut kanë vlerësim pozitiv për propozimin e Francës dhe Gjermanisë.
Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Aid Berkolli.
Ishte mohuar fillimisht, por zyrtarët e shtetit tashmë një nga një po pranojnë se ka një iniciativë të Francës dhe Gjermanisë për dialogun me Serbinë.
Një ditë pas kryeministrit Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ekziston një nismë e tillë franko-gjermane.
Sipas Osmanit, çdo iniciativë e aleatëve është serioze dhe në interes të shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, opozita ka kritikuar pushtetin për mos transparencë në lidhje me procesin e dialogut.
Lidhur me propozimin të ardhur direkt nga përfshirja e presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, partitë opozitare e shohin si të padrejtë.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, konisderon të domosdoshëm unitetin politik lidhur më këtë propozim.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka dyshimet e saj për nismën e dy shteteve më të fuqishme evropiane.
Kadrijaj, vë në dyshim ekzistencën e letrës franko-gjermane, kjo pasi ajo është publikuar nga mediat dhe jo nga nga vetë kryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme.
Por njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësime pozitive rreth kësaj iniciative.
Sipas tyre, ky mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por i hap rrugë intergrimit evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Të hënën, për herë të parë kryeministri Albin Kurti ka pranuar se ekziston iniciativa franko-gjermane për dialogun, por nuk e ka konsideruar propozim ngase sipas tij nuk ka asgjë konkrete./Gazeta10