
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë vizituar sot bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren. Nga aty u dha edhe lajmi se sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga garda kombëtare.
Aktualisht, kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësisë emergjente dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti.
Kryeministri Kurti dhe ministri Mehaj shprehën edhe një herë ngushëllimet më të thella për viktimat e tërmetit shkatërrues të së hënës.
Solidarizimit dhe mbështetjes institucionale i janë bashkëngjitur edhe qytetarët e Republikës të cilët në baza vullnetare dhe humanitare kanë filluar të dërgojnë ndihma për popullit turk. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti pa nga afër grumbullimin dhe paketimin e ndihmave të destinuara për zonat me më së shumti nevojë.
Nisjen e këtij grupi e ka konfirmuar edhe FSK-ja përmes një postimi më parë.
“Është nisur sot edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë. Ekipi i përbërë nga oficeë e nënoficerë do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve.”,thuhet në njoftim./Gazeta10