
Në gjithë Poloninë janë bërë thirrje për dhurim gjaku, pasi njëri nga dy policët e plagosur në sulmin me armë të së shtunës në Krakov po lufton për jetën në spital.
Dy policët u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit me sulmuesin e armatosur në Sheshin Kryesor të qytetit.
Nga sulmi mbetën të vrarë gjashtë persona, ndërsa 16 të tjerë u plagosën.
Policët Artur Morański dhe Jakub Kulik janë cilësuar si heronj pasi u përballën me sulmuesin, i cili ishte i armatosur me armë automatike.
Ata arritën ta plagosnin dhe ta neutralizonin, por të dy mbetën të plagosur. Gjendja e Kulikut është më e rëndë.
Kryeministri Donald Tusk deklaroi se dy policët “me shumë gjasë shpëtuan shumë jetë”, duke theksuar se gjendja e tyre mbetet serioze.
Edhe ministri i Drejtësisë, Waldemar Żurek, u bëri thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak për Kulikun.
“Jakub Kulik, i cili pa hezitim u përball me sulmuesin e armatosur, tani po lufton për jetën në spital. Njëra mushkëri nuk po i funksionon dhe ka nevojë për çdo pikë gjaku”, shkroi ai.
Thirrjes iu bashkua edhe Brigada e 6-të Ajrore, ku Kulik kishte shërbyer para se të bëhej polic, duke bërë të ditur se nevojitet gjak i grupit AB Rh+.
Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjenerali Wiesław Kukuła, u bëri thirrje ushtarëve që të dhurojnë gjak për policët dhe personat e tjerë të plagosur në sulm.