
Raporti: Arta Mustafa
Njohës të procesit të dialogut dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare e konsiderojnë pozitive vëmendjen e theksuar amerikane në procesin e dialogut. Ata kanë mirëpritur edhe qëndrimin sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave serbe. Në kuadër të takimit Kurti-Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka qëndruar në Bruksel edhe i dërguari SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta10.
Kërkesa amerikane për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, ka kthyer sërish vëmendjen SHBA-së në procesin e dialogut në Bruksel.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, në një prononcim për Kanal10 nga Brukseli, ka ripërsëritur qëndrimin për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
DEK: Gabriel Escobar – I dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor
Pyetja për Asociacionin është shumë e rëndësishme, është një angazhim dhe duhet të implementohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Absolutisht, dhe duhet. Por kjo nuk do të thotë që duhet të jetë e dëmshme për qytetarët serbë të cilët janë qytetarë të Kosovës dhe Serbisë. Ka modele të shumta evropiane të cilat mund të merren shembull në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe produktive.
Ky qëndrim i SHBA-ve, sipas Visar Ymerit nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” duhet të vlerësohet si pozitiv për Kosovën.
Ymeri ka vlerësuar se nuk do të ketë marrëveshje finale pa përfshirjen e SHBA-së, derisa e mirëpritur përfshirjen intensive amerikanë në dialog.
Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, ka thënë se është e vështirë që Kosova të pajtohet vetëm për Asociacionin, nëse një i tillë nuk është pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.
Serbia në vazhdimësi ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave serbe, derisa Kosova thotë se nuk pranon që të ketë asociacion njëetnik. /Gazeta10