Politiko

Nuk vendosen kryetarët e komunave në listë, Krasniqi: Kemi zgjedhje lokale vitin tjetër, s’më duket e drejtë!

Gazeta10
28 Nëntor 2024 - 1:23

I pyetur se pse PDK nuk i vendosi disa nga kryetarët e komunave në listën e deputetëve siç kanë vepruar partitë e tjera, Memli Krasniqi ka thënë se futja e tyre në garë dhe rikthimi i tyre në pozicione komunale nuk do të përçonte mesazh të mirë.

“Kryetarët e komunave e kanë pasur gatishmërinë, por kam besu që ne vërtetë duhet të jemi të sinqertë. Nëse i fusim në garë dhe ata pastaj kthehen në pozicionet e tyre komunale e nuk mbesin si deputetë, nuk jam i sigurt që kjo do të ishte mesazhi më i mirë”, ka thënë Krasniqi.

Ai nuk e ka konsideruar të drejtë vendimin për të kërkuar votën e qytetarëve, në mënyrë që kryetarët komunalë të zgjidhen për deputetë.

“Ne kemi zgjedhje lokale përsëri vitin e ardhshëm dhe nuk më duket e drejtë që t’ua kërkojmë votën për deputetë”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, sinqeriteti ndaj votuesve ka qenë gjithnjë bazament i qasjes së tyre në fushatë.

“Unë mendoj që sinqeriteti ndaj votuesve duhet të jetë bazament i qasjes tonë në fushatë. Qytetarët i kanë zgjedhur kryetarët aktualë për të qeverisur komunat e tyre dhe unë besoj që shumica e kryetarëve që rikandididohen dëshirojnë të rizgjidhen dhe ta marrin këtë besim edhe një herë”, ka thënë Krasniqi. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.