Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

OBSH-ja parashikon se deri në vitin 2050, rastet e kancerit do rriten për 75%

Gazeta10
01 February 2024 - 17:59

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, rastet e kancerit në botë parashikohen të rriten më shumë se 75% deri në vitin 2050.

Shifrat e fundit Agjencia Kombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), e bëjnë të qartë barrën e rritjes së rasteve me kancer, të rritura nga 14,1 milionë raste të reja dhe 8,2 milionë vdekje në mbarë botën në vitin 2012 në 20 milionë raste të reja dhe 9,7 milionë vdekje një dekadë më vonë. IARC parashikon se do të ketë më shumë se 35 milionë raste të reja me kancer deri në vitin 2050, rritje prej 77% nga viti 2022 dhe se vdekjet do të jenë gati të dyfishuara që nga viti 2012 në më shumë se 18 milionë.

IARC ka thënë se përdorimi i duhanit, konsumimi i alkoolit dhe obeziteti janë faktorët kyç të rritjes së prevalencës së kancerit, përveç plakjes dhe rritjes së popullsisë. Parashikon që vendet me të ardhura të larta do të regjistrojnë 4,8 milionë raste të reja në vitin 2050, por vendet me të ardhura të ulëta do të përjetojnë rritje më të madhe proporcionale të rasteve. Vdekshmëria nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta parashikohet të dyfishohet.

“Ndikimi i kësaj rritjeje nuk do jetë i njëjtë në të gjitha vendet”, ka thënë Freddie Bray, kreu i degës së mbikëqyrjes së kancerit të IRAC-ut. “Vendet që kanë më pak burime për të menaxhuar barrën e tyre të kancerit do të mbajnë barrën e ngarkesës botërore të kancerit”.

Observatori global i kancerit të IARC-ut, i cili mbulon 185 vende dhe 36 lloje të kancerit, tregon se 10 lloje të kancerit përbëjnë rreth dy të tretat e rasteve dhe vdekjeve të reja globale në vitin 2022.

Kanceri i mushkërive është kanceri më i shpeshtë i diagnostikuar në mbarë botën, duke përbërë 12,4% të rasteve të reja dhe 18,7% të vdekjeve. Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më e shpeshtë, derisa përbën 11,6% të rasteve, shkakton më pak se 7% të vdekjeve. Shkaqet tjera kryesore të vdekjes përfshijnë kancerin e mëlçisë dhe të stomakut.

Pabarazitë janë veçanërisht të theksuara në kancerin e gjirit. Gratë në vendet me të ardhura të ulëta kanë 50% më pak gjasa për t’u diagnostikuar sesa gratë në vendet me të ardhura të larta, duke i vënë ato në “rrezik shumë më të lartë të vdekjes nga sëmundja për shkak të diagnostikimit të vonë dhe qasjes së pamjaftueshëm në trajtim cilësor”, tha Isabelle Soerjomataram, nënkryetare e degës së mbikëqyrjes së kancerit të IARC-ut.

Pavarësisht së është plotësisht i parandalueshëm, kanceri i qafës së mitrës është kanceri i tetë më i zakonshëm në botë dhe shkaku i nëntë më i madh i vdekjeve nga kanceri, duke llogaritur 661,044 raste të reja dhe 348,186 vdekje. Është kanceri më i zakonshëm te gratë në 25 vende, shumë prej të cilave janë nga Afrika Sub-Sahariane.

“Pavarësisht progresit që është bërë sa i përket zbulimit të hershëm të kancerit dhe trajtimit e kujdesit të pacientëve me kancer, ekzistojnë pabarazi të konsiderueshme në rezultatet e trajtimit të kancerit, jo vetëm midis rajoneve me të ardhura të larta dhe të ulëta të botës, por edhe brenda vendeve,” ka thënë Cary Adams, kreu i Unionit për Kontrollin Ndërkombëtar të Kancerit.

“Shifra të tilla janë alarmuese sa i përket pabarazisë së madhe në incidencën e kancerit dhe vdekshmërinë që ekziston nëpër dhe brenda vendeve të ndryshme. Ka ardhur koha të merret seriozisht kjo krizë globale nëse duam të bëjmë ndryshim,” ka thënë Panagiota Mitrou, drejtoreshë e kërkimit, politikave dhe inovacionit në Fondin Botëror të Kërkimit për Kancerin.

“Zhvillimi i trajtimeve të kancerit arrin gjithnjë e më pak njerëz në mbarë botën. Përderisa pacientët në vendet me të ardhura të larta mund të jetojnë dhe të kurohen nga kanceri, pacientët në mjedise të paprivilegjuara vdesin me dhimbje nga e njëjta sëmundje”, ka thënë Solange Peters, presidente e Fondacionit Ndërkombëtar të Kancerit. Petersi ka shtuar: “Duhet ta trajtojmë këtë tragjedi sociale dhe barrë ekonomike, duke parandaluar miliona vdekje nga kanceri përmes investimeve strategjike. Është koha për të kapërcyer hendekun dhe për të shpëtuar jetë globalisht”.

“Duhet të ndërmerret një veprim “i shpejtë dhe vendimtar” për të reduktuar ndotjen, ekspozimin ndaj asbestit dhe kancerogjenëve të tjerë, për të zbutur sjelljet që rrisin rrezikun nga kanceri dhe për të trajtuar pengesat dhe hezitimin ndaj vaksinimit kundër llojeve të kancerit të parandalueshëm,” ka thënë Jean-Yves Blay, drejtor i politikave publike në Shoqatën Evropiane të Onkologjisë Mjekësore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.