
Raporti: Egzona Shala
Bashkimi Evropian ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, derisa ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre. Nga BE kanë thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike e po ashtu do të mund të rivlerësojnë ndihmën e tyre në këtë fushë. Ndërsa, nga partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të nisin procedurat për ta dërguar këtë ligj në Kushtetuese.
Miratimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë, ka ngjallur reagime të shumta.
Pas kundërshtimeve të partive opozitare, të shqetësuar me miratimin e këtij projektligji janë shprehur edhe nga Bashkimi Evropian.
Nga BE kanë thënë se Kuvendi i Kosovës nuk i ka marr parasysh rekomandimet e e tyre.
“BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës dje i ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”
Ndërsa, opozita ka paralajmëruar se do të nisin procedurat e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo përkundër reagimeve,Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se me miratimin e këtij ligj do të bëhen reforma në administratë.
Ndryshe, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, si dhe do të raportojnë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën e po ashtu do të mund të rivlerësojnë ndihmën e tyre në këtë fushë. / Kanal10