
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Të pakuptimta dhe të paarsyeshme po konsiderohen kërkesat e reja sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Madje, eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ndërlidhjen e liberalizimit të vizave me këtë sistemin ETIAS e ka quajtur vetëm arsyetim për të shtyrë këtë çështje. Ndërkaq, nga pozita e opozita këtë e kanë quajtur kusht të ri që nuk varet nga Kosova, shkruan Kanal10.
Shtimi i kërkesave për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka vazhduar të zgjojë reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.
Ndërlidhja e këtij procesi me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, është kundërshtuar edhe nga eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.
Gjatë së premtes, ai e ka cilësuar si të turpshëm një arsyetim të tillë.
“E turpshme, marre dhe e papërgjegjshme. Pas një raporti jashtëzakonisht pozitiv shtesë për udhëtimin pa viza për Kosovën me kërkesë të Holandës, ky vend i bashkohet një grup vendesh që kanë dalë me një justifikim të ri për të shtyrë sërish vendimin”, ka thënë Thijs Reuten – Eurodeputet holandez.
Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar shpjegime lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas deputetes Blerta Deliu nga PDK-ja, nuk ka qenë e pritshme vendosja e kritereve të reja për Kosovën.
Ndërsa, nga partia tjetër opozitare, LDK-ja, pozitive e shohin se kjo çështje tashmë ka hyrë në agjendë, duke shpresuar në një vendim tjetër në hapat e mëvonshëm.
Nga AAK-ja kanë thënë se ky kriter nga Evropa, është i pakuptimtë.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është e kufizuar të jap përgjigje, derisa nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave për Kosovën.
Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave./Gazeta10