
Presidentja Vjosa Osmani ka folur pak më herët në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku temë e një paneli ishte “Gratë, paqja dhe siguria”.
Osmani përmendi rolin e grave kosovare në vitet e 90-ta, gjatë luftës, si dhe në shtetndërtimin e pasluftës.
“Gratë e Kosovës kanë pasur një rol udhëheqës, një rol tejet të rëndësishëm përgjatë rezistencës tonë paqësore gjatë viteve 90-a, kur njerëzit e Kosovës ishin viktima të një regjimi aparteid, ku të gjitha të drejtat bazike janë shkelur nga regjimi i Millosheviqit. Ishin gratë ato që i udhëheqin protestat, ato u përfshinë në diplomacinë ndërkombëtare, për t’u siguruar që të trokisnin në çdo derë, për t’u siguruar që zëri ynë të ndihet ndërkombëtarisht. Shumë pak njerëz e dinin atëherë se ku ekzistonte Kosova. Së dyti , gratë kosovare u përfshinë edhe gjatë luftës, në përpjekje për liri, shumë prej tyre ranë si heroina, dhe tani ne i shohim gratë ukrainase duke mbrojtur vendin e tyre. Dhe e treta, gratë e Kosovës u përfshinë shumë në proceset e ndërtimit të paqes dhe shtetit”, tha Osmani.
“Unë besoj fuqishëm se edhe ndërkombëtarët që janë përfshirë në procesin e bërjes së Kosovës shtet, e dinë se Kosova është një nga tregimet më të mira të suksesit, është një shembull i shtetit demokratik”, shtoi presidentja./Gazeta10