
Dorëheqja e kryetarëve në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok ka krijuar situatë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna, raporton Gazeta10.
Për caktimin e datës së zgjedhjeve në këto komuna presidentja Vjosa Osmani pritet të takoj sot subjektet politike në orën 14:00, këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi ditë më parë Presidenca e Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor”, thuhej në njoftim.
Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si vazhdimësi e kundërshtimeve të Listës Serbe ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre./Gazeta10