Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

​Osmani: Të jemi të bashkuar për mbrojtje të sovranitetit në çdo pëllëmbë të vendit

Gazeta10
12 June 2023 - 20:09

Në 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, krerët shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, kanë vlerësuar lart kontributin e heronjve, martirëve dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për lirinë, ndërsa mirënjohje të thellë shprehën për shtetet që ndihmuan vendin në mbylljen e kapitullit të errët që shkaktoi Serbia.

Në pritjen e përbashkët shtetërore për nder të Ditës së Çlirimit, presidentja Osmani tha se 12 qershori i vitit 1999 ishte fanar shprese pasi në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Duke shprehur mirënjohjen për shtetet anëtare të NATO-s, ajo tha se Kosova ka sërish nevojë për aleatët e saj, të cilët e ndihmuan më 1999. Derisa tha se sfidat sa vijnë e shtohen, Osmani u shpreh se duhet unitet në mënyrë që të mbrohet çdo pëllëmbë e Republikës së Kosovës.

“Sot kemi nevojë sërish për aleatët tanë. Forcimi i subjektivitetit tonë ndërkombëtar është angazhim i yni i çdoditshëm, e në këtë rrugëtim ndihma nga miqtë tanë është jetike. Anëtarësimi në BE, në NATO, në KiE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është në funksion të një republike më të fuqizuar, të një Evrope më të angazhuar. Rruga jonë euroatlantike është prioritet i yni shtetëror, rrugëtimi jonë evropian është ëndrra jonë e kahmotshme dhe mbështetja e aleatëve në këtë rrugëtim nuk është vetëm për Kosovën, por fuqizim i projektit evropian në këtë kohë sfiduese për kontinentin e vjetër. Uniteti evropian, treguar në mbështetje të lirisë së Kosovës është po kaq i nevojshëm sot, me qëllim të garantimit të paqes së qëndrueshme në kontinentin tonë. E përderisa sfidat sa vijnë e shtohen, ne duhet të jemi të bashkuar për mbrojtje të sovranitetit të shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të Republikës të Kosovës… Teksa festojmë 24-vjetorin e lirisë le ta ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë si komb… Republika jonë është më shumë se kurrë e gatshme për kapituj të rinj”, tha Osmani.

E para e vendit u shpreh se lufta për liri është një rrugëtim i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe vendosmëri të palëkundur.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.