
Presidentja e Republikë së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Kalabrinë e Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.
Gjatë vizitës së saj ajo është pritur nga gratë e komunitetit të arbëreshëve të cilat kanë kënduar këngë shqipe, përmes të cilave kanë porositur që të mos harrohet gjuha shqipe.
Për vizitën e saj atje Osmani ka publikuar një video duke shkruar: “Mirë se ju gjeta, arbëreshë të dashur!”.
Gjatë kësaj vizite Osmanit do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.
Gjatë qëndrimit në Kalabri, Presidentja Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.
Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.