Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të lartësuar figurën e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, duke e cilësuar çdo akt nderimi ndaj tij si fyerje për viktimat dhe rehabilitim të ideologjisë që çoi në gjenocid.
Në një postim publik, veteranët kanë dënuar atë që e konsiderojnë si përpjekje të Serbisë për ta kthyer varrimin e Mlladiqit në një akt nderimi shtetëror.
“Dënojmë ashpër përpjekjen e turpshme të Serbisë për të lartësuar Ratko Mlladiqin dhe për ta kthyer varrimin e tij në akt nderimi shtetëror”, thuhet në reagim.
Sipas veteranëve, trajtimi i një krimineli të dënuar lufte si hero kombëtar “fyen çdo viktimë të tij” dhe përbën rehabilitim të hapur të ideologjisë që, siç shprehen ata, prodhoi gjenocid.
Veteranët kritikojnë gjithashtu Beogradin për mungesë të përballjes me të kaluarën, duke theksuar se vazhdimi i kësaj qasjeje rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Kujtimi dhe dinjiteti i viktimave nuk negociohen. As tani, as kurrë”, përfundon reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.