
Përfaqësues të punëtorëve shëndetësorë kanë paralajmëruar ikje masive të mjekëve dhe infermierëve nga Kosova gjatë vitit të ardhshëm. Mbi 1 mijë infermierë e qindra mjekë thuhet se kanë filluar përgatitjet për të lëshuar vendin, për shkak të kushteve jo të mira e pagave të ulëta. Njohës të shëndetësisë kanë alarmuar se me këtë trend të ikjes, në një të ardhme të afërt do të rrezikohet dhënia e shërbimeve shëndetësore.
Reporti: Albenita Sopaj, Kamera: Aid Berkolli.
Në kohën kur Qeveria e Kosovës po paralajmëron kthim të stafit shëndetësorë nga mërgata, përfaqësues të këtyre të fundit po alarmojnë ikje masive gjatë vitit të ardhshëm.
Sindikata e Punëtorëve Shëndetsorë të QKUK ka thënë se vetëm gjatë këtij viti mbi 500 infermierë janë larguar nga Kosova, derisa ka paralajmëruar se rreth 1 mijë e 500 të tjerë pritet ta lëshojnë vendin gjatë vitit të ardhshëm.
Infermieri i QKUK-së, Fitim Havolli ka thënë se për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ikjen po e shohin si zgjidhjen më të mirë.
Ai është shprehur se për shkak të largimit të një numri të madh të punëtorëve shëndetësorë, në një të ardhme të afërt do të rrezikohet dhënia e shërbimeve shëndetësore.
E përveç infermierëve, largimin nga Kosova e kanë paralajmëruar edhe një numër i madh i mjekëve.
Kjo për shkak të pakënaqësive që lidhen me pagat e ulëta e kushtet jo të mira të punës.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i rëndë për shkak të largimeve masive nga vendi.
Për këto paralajmërime të sindikalistëve shëndetësorë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit.
Vit pas viti numër i madh i punonjësve shëndetësorë lëshojnë Kosovën për shkak të kushteve më të mira, e pagave më të larta që u ofrohen në klinikat e spitalet jashtë vendit./Gazeta10