
Pas kërcënimit në transmetim live të Fehmi Berishës, ish i burgosur politik, ndaj publicistit Halil Matoshi, ka ndërhyrë moderatori i Politikos, Kushtrim Sadiku duke ia ndërprerë fjalën dhe lidhjen direkte.
“E ndërprejmë lidhjen, absolutisht kjo është gjuhë që nuk e lejojë. Të lutem z. Berisha. Kjo është e papranueshme. Ndale mikrofonin, ndale transmetimin. Ne nuk kemi ardhur këtu që të debatojmë e të bëjmë thirrje për dhunë, ta vrasim njëri-tjetrin, të bëjmë thirrje për varje” ka qenë reagimi i Sadikut.
Gjatë emisionit, Berisha, teksa ka bërë një krahasim me shqiptarët e persekutuar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe pas viteve 90-ta, ka lëshuar një deklaratë të fortë.
‘Enver Hoxha ka qenë kryenacionalisti më i madh në historinë e Shqipërisë. Sali Berisha e ka dhënë shifrën 5680 të vrarë gjatë periudhës së sundimit të Enver Hoxhës. Unë aq për 24 orë sonte në Kosovë i kisha vjerrë në sheshin e Prishtinës. Dhunën sot e ki në Kosovë, degradimin. Sa vrasje janë bërë në Shqipëri e Kosovë, prej se ka vdekur Enver Hoxha. Për çdo ditë kemi vrasje monstruoze në Shqipëri”, deklaroi Berisha në Politiko./Gazeta10