
Një takim rreth dy orësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duket se ka qenë i suksesshëm lidhur me kërkesën që PDK’ja ka për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo pasi që, të premtën mbrëma Qeveria e vendit, nxori vendimin ku u vlerësua se nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales s’ka pengesa ligjore.
Në njoftim u bë e ditur edhe se vendimi i qeverisë do i përcillet Kuvendit.
Kësisoj, kërkesa e PDK’së është më afër realizimit të qëllimit të saj, pas disa ditësh thirrjesh që e njëjta të procedohet në parlament.
Madje, vetë nga PDK’ja, kishin deklaruar në shumë raste se miratimi i këtij ligji është parësor për ta, dhe se vetëm pas kalimit të tij, do të diskutonin për zgjedhjen e presidentit, çështje që po ashtu shihet si problematike.
Megjithatë, tashmë, përveç procedurave të tjera që projektligji duhet t’i kalojë si ajo e diskutimit, e njëjta duhet të marrë votat në Kuvend, ku, për miratimin e tij mjaftohen votat e shumicës së thjeshtë.