
Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë së bashku me përfaqësues institucional, kanë marshuar në Prishtinë për ta shënuar Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Pas marshimit nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”, është prezantuar edhe instilacioni “14 Prilli”. Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë janë dhënë premtime se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.
Përmes një marshi në Prishtinë të premten është shënuar Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Marshit i kanë prirë dy të mbijetuarat e këtij krimi Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Tahiri Sulimani duke thënë se pranvera ua kujton tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë.
Premtime gjatë këtij marshi ka dhënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.
Haxhiu ka shtuar se së fundmi kanë proceduar edhe ndryshimin e ligjit, me qëllim të zgjatjes së afatit për aplikimin për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
Marshi është përkrahur edhe nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe nga zyra e presidentes.
Po ashtu, kryeministri i Kosovës Albin Kurti me homazhe te memoriali Heroinat përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më dhe nderoi të mbijetuarat.
Pas marshimit nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”, është prezantuar edhe instilacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tashmë njihet zyrtarisht si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale.