
74 vjeçari nga Komuna e Rahovecit nuk po mund ta gëzojë pensionin e punës, pasi për një muaj nuk i plotëson 15 vite stazh. Ai thotë se është duke pritur që 8 vite për të marr pensionin për të cilin ka dhënë kontribut gjatë jetës së tij. Njohës të kësaj çështje kanë thënë se Kosova përpos që duhet të bëjë zgjidhje për këto kategori, ajo duhet t’ia dërgojë Serbisë faturën për dëmshpërblim, raporton Gazeta10.
Raporti: Egzona Shala
Kamera: Valmir
74 vjeçari, Xhevdet Ejupi nga Rahoveci ka shprehur pakënaqësi për mos njohjen e pensionit kontributdhënës.
Megjithëse, ai thotë se ka punuar për vite të tëra para dhe pas luftës, vetëm për një muaj atij nuk po i njihet përvoja e punës 15 vjeçare.
Në vitet e 80-ta teksa ishte në marrëdhënie të punës, pas pjesëmarrjes në protestat e organizuara asokohe, Ejupi thotë se i kushtoi me largim nga puna, veprim ky që edhe tani po e lë pa pension.
Ai thotë se kontributet të cilat i kanë dhënë për vendin tani nuk po i shpërblehen dhe pensioni të cilin po e marrin nga 100 euro nuk po i dalin as për gjëra elementare.
Ejupi kërkon nga qeveria të bëjë një zgjidhje për këtë çështje dhe ta gëzoj pensionin e punës.
Profesori i çështjeve të ekonomisë, Muhamet Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të bëjë reforma në skemën pensionale dhe të merr parasysh këtë kategori.
Ai thotë se Kosova përpos që duhet urgjentisht të bëjë zgjidhje kësaj çështje, ajo duhet që Serbisë t’i përgatitë faturën në tavolinën e bisedimeve për dëmet që i ka shkaktuar këtyre pensionistëve.
Kanal 10, ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka premtuar se këtë çështje do ta rregullojë përmes nismës ligjore, për çka është diskutuar edhe në legjislativ, por miratimi kishte dështuar./Gazeta10.