
Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën, pasi ai ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s – që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje – nga një pushtim potencial prej Rusisë.
“Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim.
“Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, ka thënë ai.
Trump ka gjasa të fitojë nominimin e republikanëve në garën presidenciale, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka reaguar, po ashtu.
“Motoja e NATO-s është ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe ky është përkushtim konkret. Minimi i kredibilitetit të shteteve aleate nënkupton dobësim të gjithë NATO-s”, ka thënë ai në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
“Asnjë lloj i fushatës nuk është arsyetim për të luajtur me sigurinë e aleancës”.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka postuar një mesazh “Një për të gjithë, të gjithë për një’ me thirrjet “Së bashku më të fortë”, gjithashtu, në X, pas komenteve të Trumpit.