
Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës.
Drita rikthehet te fitorja pas humbjes nga Ferizaj në javën e kaluar, duke e mposhtur Llapin në formë me rezultat 2-0. Golin e parë për “Intelektualët” e shënoi Kushtrim Shabani në formë autogoli, ndërsa për epilogun final u përkujdes Almir Ajzeraj, me golin e shënuar në minutat e fundit të ndeshjes.
Fitore arriti edhe Gjilani, të cilët në udhëtim në Klinë mposhtën skuadrën e Dukagjinit me rezultat 1-0, me golin e shënnuar nga Mevlan Zeka në fund të pjesës së parë.
Tri pikëshin e parë në pranverë e arriti edhe Drenica, të cilët në “Bajram Aliu” shënuan fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Ferizajt pa humbje në këtë gjysmësezon.
Pas ndeshjeve të para të kësaj xhiro, Drita pozicionet në vendin e dytë, me një pikë më pak se Ballkani, i cili ka një ndeshje më pak. Ndërkohë, Llapi mbetet në pozitën e pestë me 29 pikë.
Pas fitores në Klinë, Gjilani përforcon vendin e tretë, vend që dërgon në Evropë, duke grumbulluar 38 pikë në 23 ndeshje. Në anën tjetër, Dukagjini gjendet në pozitën e gjashtë në tabelën e klasifikimit.
Fitorja e parë në pranverë e gjen Drenicën në pozitën e tetë në tabelë, kësisoji duke i ikur pozitave që të dërgojnë direkt në Ligën e Parë.