
Raporti: Bleona Dallaveraj/ Kanal 10
Me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit të 15-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjykata ka njoftuar se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ndërpritet për shkak të pushimeve të verës.
Para trupit gjykues, dëshmitari ka folur rreth ndalimit të vëllait të tij, të cilin pretendon se e bëri UÇK-ja, në vitin 1998, në Drenoc.
Gjykatësi Genël Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se i kanë ndodhur.
“Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?”- Genël Metro – Gjykatës
Dëshmitari: Po.
Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.
Por mbrojtja e ish–krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vendosur të mos parashtrojnë kundër pyetje.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i seancës të së mërkurës kur dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS-ja rreth disa dokumenteve.
“Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”
Me përfundimin e kësaj dëshmie, procesi gjyqësor pas pushimeve të verës do të fillojë nga data 14 gusht.
Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve pothuajse të gjithë dëshmitarët kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.