
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Liridon Restelica – Kryeshef Ekzekutiv i NPL Prishtina Parking, është shkarkuar pasi ka keqpërdorur pozitën.
Rama këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kështu duke rënë në kundërshtim me atë që Restelica e tha gjatë ditës, se kishte dhënë dorëheqje për shkak të “presioneve që ka pasur nga aksionarët e Kuvendit Komunal”.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””, ka shkruar Kryetari i Prishtinës.
Më tej, Rama ka deklaruar se vendimi për shkarkimin e Restelicës hyn në fuqi sot, më 22 gusht 2022./Gazeta10