
Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).
Kryetari i këtij komisioni, Albert Kinolli, ka prezantuar rekomandimin për shkarkimin e Malsore Gashi-Bajraktarit, Eshref Shabanit, Ardita Haxhnikaj-Demit dhe Arben Mehmetit.
Gjatë debatit parlamentar, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar këtë rekomandim, duke e cilësuar si iniciativë me prapavijë politike, ndërsa deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së këtij këshilli.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka thënë se anëtarët e këtij institucioni kanë kryer detyrat e tyre dhe se iniciativa për shkarkimin e tyre ka për qëllim zëvendësimin me anëtarë të rinj.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Fitim Haziri, ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të kolegjeve të këtij këshilli, duke kërkuar sqarime nëse ato janë formuar në përputhje me ligjin.
Derisa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovws, Armend Zemaj, ka thwnw se raporti është mbështetur në vlerësime të deputetëve të LVV-së dhe se pyetjet e ngritura ndaj anëtarëve të këshillit kanë pasur më shumë karakter politik sesa ligjor e funksional.
Gjatë fjalimit të tij, deputeti nga Aleanca, Besnik Tahiri, ka vendosur në foltore një skemë të vizatuar në letër, në formë trekëndëshi, për të ilustruar raportin ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Duke iu referuar skemës, Tahiri ka shpjeguar kompetencat e këtyre institucioneve, ndwrsa ka kundërshtuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit.
Deputeti i LVV-së, Egzon Azemi, ka kundërshtuar qëndrimet e opozitës, duke akuzuar KPMSHCK-në se ka marrë vendime në dëm të interesit të qytetarëve. Ai ka përmendur rastin e një zyrtareje të Ministrisë, e cila, sipas tij, ishte rikthyer në punë nga ky këshill, ndonëse kishte vepruar gabimisht në trajtimin e një ankese që lidhej me një kompani të naftës.