Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori. Do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë.
Këto ndryshime do të zbatohen në vitin e ri shkollor 2024/2025 në ciklin e ulët në pesë shkolla fillore publike në Prishtinë.
Me vendim të komunës së kryeqytetit, mësimi gjithëditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën.
Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, tregon për Radion Evropa e Lirë se si do të duket një ditë mësimi:
“Në këto shkolla, mësimi do të nisë në orën 7:45 të mëngjesit. Fillimisht, për gjysmë ore, fëmijët do të ushqehen me shujtën e mëngjesit të përgatitur në shtëpi. Më pas, deri në orën 12:00, do të mbahet mësimi bazik. Pas orës 12:00 deri në 15:45, fëmijët do t’i përfundojnë detyrat e shtëpisë, do të kenë aktivitete sportive dhe kulturore, si dhe vizita jashtë shkollës”.
Këto ndryshime do të nisin, sipas saj, nga 30 shtatori. Nga 2 shtatori, kur sivjet nis viti i ri shkollor, deri në atë datë, mësimi do të zhvillohet sikurse deri më tash – me nga tri-katër orë në ditë.
Kjo, për faktin se për realizimin e mësimit gjithëditor, nxënësit e klasave nga e gjashta deri në të nëntën, në shkollat ku ai do të zhvillohet, do të duhet të barten në objekte të tjera shkollore.
Kjo zgjidhje është bërë pasi pesë shkollave u ka munguar infrastruktura e nevojshme për qëndrim ditor, thotë Lushaku.