
Rasti i rëndë i raportuar të dielën në Ferizaj, ku një 68-vjeçar kishte pësuar djegie të rënda në rrethana që po hetohen si tentim vetëvrasjeje, ka përfunduar me fatalitet.
Siç raportohet, R.S., rreth 68 vjeç, ka ndërruar jetë më 19 tetor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte transferuar për trajtim mjekësor pas incidentit.
Sipas raportimeve, familjarët kishin dëgjuar britma në oborrin e shtëpisë dhe, pasi kishin dalë jashtë, e kishin gjetur 68-vjeçarin të përfshirë nga flakët. Ata kishin ndërhyrë menjëherë për ta shuar zjarrin dhe kishin njoftuar ekipet emergjente, të cilat i kishin ofruar ndihmën e parë.
Viktima ishte dërguar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa për shkak të lëndimeve të rënda ishte transferuar në QKUK, ku ndërroi jetë një ditë më vonë.
Pas konfirmimit të vdekjes, hetuesit rajonalë të Ferizajt kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit. Me autorizim të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.