Manchester United mori një fitore të pastër me rezultat 3-0 të dielën ndaj West Ham në kuadër të Ligës Premier.
Sidoqoftë, kjo fitore la një shije të hidhur për “Djajtë e Kuq” pasi Lisandro Martinez pësoi një lëndim i cili në pamje të parë dukej mjaft i rëndë duke u detyruar të lë fushën para kohës.
Argjentinasi u lëndua në një duel me mbrojtësin çek Vladimir Coufal në përpjekje për të mbrojtur topin i cili tashmë po shkonte jashtë vijave të fushës.
Pas ndeshjes Erik Ten Hag u pyet për lëndimin, ku shprehi shqetësimin e tij duke thënë se ky lëndim nuk dukej mirë.
“Nuk mund të them diçka por nuk dukej mirë, ka një shqetësim të madh”, ishin fjalët e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Megjithatë, sipas raportimeve të fundit ai i ka shpëtuar këputjes së ligamentit ACL dhe pritet të jetë jashtë fushave për 1 deri në 2 muaj dhe nuk ka nevojë që t’i nënshtrohet operimit.
Martinez mund të rikthehet para pushimit me kombëtare por deri atëherë Ten Hag duhet të nxjerrë më të mirën nga dyshja Harry Maguire dhe Raphael Varane.