Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Po na shitet xhandarmëria si sukses për propagandë elektorale”, Musliu publikon këpucët e shqyera të policëve

Gazeta10
19 May 2026 - 15:01

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, duke komentuar paralajmërimet e djeshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për krijimin e një xhandarmërie që u pasua sot me nënshkrimin për themelimin e grupit punues për këtë çështje nga ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se sot policët kanë nevojë për uniforma të reja e këpucë që s’përshkohen nga uji.

Ajo këtë e quajti “propagandë elektorale”, ndërsa tha se këtë po e bëjnë meqë s’kanë çka t’u ofrojnë qytetarëve në ekonomi e mirëqenie.

“Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh. Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve”.

Musliu tha se duhet të rritet mirëqenia për policë e ushtarë që të mos u duhet të punojnë edhe punë të tjera shtesë.

Postimi i plotë:

KUR NUK KE ÇKA T’U OFROSH QYTETARËVE NË EKONOMI, MIRËQENIE DHE ZHVILLIM, ATËHERË NIS PRODHIMIN E “STRUKTURAVE TË REJA” PËR PROPAGANDË ELEKTORALE.

Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh.

Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve.

Siguria nuk ndërtohet me konferenca e postime në Facebook, por me strategji serioze, koordinim institucional dhe mbështetje për Policinë e Kosovës, e jo me krijim strukturash paralele për konsum ditor politik.

Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara.

Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe jetësore për policë e ushtarë, si dhe paga të dinjitetshme, që policët e ushtarët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.