Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Policia e Kosovës paralajmëron masa të shtuara për 16 shtatorin: Mund të ketë kufizime në qarkullim

Gazeta10
14 September 2026 - 15:46

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me masat e sigurisë që do të ndërmerren gjatë aktiviteteve dhe zhvillimeve të paralajmëruara për 16 shtatorin, ditë kur pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që mund të zhvillohen gjatë kësaj dite.

Në kuadër të përgatitjeve, menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me drejtuesit e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale.

Në këto takime janë përfshirë edhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe OSBE-së.

Një takim i tillë është mbajtur sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku është prezantuar plani policor dhe angazhimet që lidhen me zhvillimet e mundshme të 16 shtatorit.
Mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit

Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet që mund të ndodhin, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku do të zhvillohen aktivitetet.

Për këtë arsye, PK-ja ka paraparë angazhimin e njësive patrulluese të trafikut, të cilat në rast nevoje do të bëjnë riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative.

Policia ka theksuar se do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe se në terren do të angazhohen njësi të ndryshme policore, me qëllim që aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme të kalojnë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Thirrje qytetarëve për kujdes

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që situata të mbetet e qetë dhe e sigurt.

Sipas Policisë, planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur priten zhvillime, aktivitete, tubime apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore.

“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimeve të 16 shtatorit, me qëllim të garantimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.