Në masakrën në “Dubravë” ka marrë pjesë edhe një tjetër pjesëmarrës i mundshëm në masakrën në “Panda”.
Kështu shkruan sot Portal M, i cili dje publikoi emrat e serbëve që kryen krimin në ‘Panda” e më pas fajin ia hodhën shqiptarëve. Si pjesmarrës në të dyja masakrat përmenden emrat i Radomir Boban Baçoviq, lideri aktual i klanit “Skalar” dhe Sinisha Petriq i klanit “Zenica”.
Hetimi i Portal M, përmend edhe deklaratat e Aleksandar Vuçiq që iu dhanë shpresë familjarëve të serbëve të vrarë në rastin “Panda”. Ai tha se është zbuluar se ky krim nuk është bërë nga shqiptarët, sic është pretenduar me vite të tëra. Që nga ajo kohë, presidenti serb as që është takuar me familjet e djemve të vrarë në pejë gjatë vitit 1998.
“Hetimi në Pejë është bërë që të mos ketë hetime”. Aty ku organizohet shteti organizohet paraprakisht që hetimi të mos tregojë asgjë. Nuk do të gjesh një letër të stampuar me një urdhër për këtë dhe atë person për të kryer një vrasje apo një raport për punën e bërë, nuk bëhet kështu, bëhet fjalë për udhëzime që jepen privatisht dhe në fshehtësi të madhe. Shërbimi nuk lë gjurmë të shkruara për atë që nuk dëshiron të dihet, dhe do të shkatërrojë materialin që tregon për të”, thotë burimi i portalit M nga shërbimet inteligjente.
E vetmja mënyrë, vazhdon ai, për të marrë vesh për veprime të tilla është që dikush në zinxhirin e pjesëmarrësve të flasë “rastësisht aty ku nuk duhet, përballë një informatori ose qëllimisht ku dëshiron të thotë diçka, për të kuptuar. disa nga interesat e tij”. “Lojërat” e inteligjencës janë të ndërlikuara dhe asnjëherë nuk bëhet fjalë vetëm për një rrymë në Shërbim dhe për një interes të vetëm, është vetëm pyetja se kush do të përfitojë më shumë prej saj”, vazhdon ai gjakftohtësisht.
Ai pohon se kështu ka ndodhur me rastin e masakrës në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998 – foli njëri, e shumë vite më vonë tjetri e njohu informacionin si material për realizimin e interesit të tij politik.
Pas vrasjes së gjashtë të rinjve në “Panda”, hetimi zyrtar në vendngjarje zgjati deri më 22 dhjetor 1998, vetëm pak ditë.
Në një prononcim të dhënë për të përditshmen e Beogradit “Danas” në vitin 2018, ish-shefi i SUP-it të Pejës, Boro Vllahoviq, ka thënë se për rastin “Panda” është përgjegjës Sigurimi Shtetëror, pasi është vepër penale e terrorizmit dhe se zbulimi i autorëve nuk e përjashtoi punën e sigurisë publike.
“Ne nga sigurimi publik punuam intensivisht për zbulimin e autorëve, por kur pas disa ditësh, pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit arrestuan një grup shqiptarësh që thuhej se kishin organizuar dhe kryer krimin në kafenenë “Panda”, siguria publike ndaloi së punuari për rastin. Kur Sigurimi i Shtetit merr përsipër diçka dhe shpall se rasti është zbardhur, nuk është praktikë që sigurimi publik të vazhdojë të punojë për të njëjtin rast”, tha në atë kohë Vlahoviq.
Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila ishte në Pejë më 19 dhe 20 dhjetor 1998, në një tekst për Radion Evropa e Lirë në vitin 2014 ka regjistruar dëshmi për ngjarjet pas masakrës në “Panda”.
“Shqiptarët më siguruan se vrasja në “Panda” nuk është bërë nga askush nga komuniteti shqiptar. Ata panë një nga provat në faktin se policia dhe ushtria filluan kërkimet për autorët më 17 dhjetor, tre ditë pas vrasjes”, shkruan Kandiq.
Ajo vuri në dukje se së paku 150 shqiptarë nga Kapishnica e Pejës u ndaluan më 17 dhjetor 1998 në SUP në Pejë.
“Rreth 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë morën pjesë në kontrollet e shtëpive të shqiptarëve dhe në rrahjet e shqiptarëve. Në marrjen në pyetje të shqiptarëve të ndaluar kanë marrë pjesë edhe inspektorët e Sigurimit të Shtetit nga Beogradi. Shqiptarët e rrahur kujtojnë inspektorët e quajtur Ljubo, Zoran dhe Strikovic. Thonë se ata të tre i kanë rrahur pa mëshirë. Më 22 dhjetor 1998, të dyshuarit Agron Kollqaku, Gazmend Bajrami, Gjevdet Bajrami, Beqir Logja dhe Vllaznim Pergegjja janë sjellë para gjyqtarit hetues Nebojsha Zhivkoviq. Ai ka marrë vendim për kryerjen e hetimeve për aktin terrorist në “Panda”. Më 11 qershor 1999, të pesë u transferuan nga Burgu i Qarkut në Pejë në burgjet në Serbi. Në gjykimin para Gjykatës së Qarkut në Leskovc, më 9 nëntor 1999, ata u dënuan për veprën penale bashkim me qëllim të veprimtarisë armiqësore. Ata u liruan më 15 dhjetor 1999, me ndërmjetësimin e KNKK-së”, shkruan Natasha Kandiq.
Më 22 dhjetor 1998, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq, njoftoi se rasti i vrasjes në “Panda” ishte zgjidhur.
Në shkrimin e saj për RSE, Natasha Kandiq përfundon: “Disa herë kam pasur rastin të pyes përfaqësuesit e MPB-së së Serbisë për vrasjen në “Panda”. Përgjigjja ishte se nuk e zbardhën dot çështjen, jo sepse nuk kishte prova, por nuk u lejua drita e ngjarjeve. Kontrolli i shtëpive të shqiptarëve, marrja në pyetje dhe rrahja e shqiptarëve ishte një lojë policie për të mbuluar gjurmët e vërteta”./Express