Filatelia e Postës së Kosovës, lëshon në qarkullim emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një jubile historik që shënon dy shekuj e gjysmë lirie, demokracie dhe zhvillimi.
Ky emision filatelik është realizuar në shenjë respekti dhe vlerësimi për këtë ngjarje të rëndësishme historike, e cila përkujton shpalljen e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 4 korrik 1776, si dhe trashëgiminë e saj të qëndrueshme në promovimin e vlerave demokratike në mbarë botën.
Gjatë historisë së saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e lirisë, paqes dhe zhvillimit global, ndërsa marrëdhëniet e veçanta të miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbëjnë një shembull të bashkëpunimit dhe partneritetit të fuqishëm.
Emisioni përbëhet nga një pullë postare dhe Zarfi i Ditës së Parë, të cilat përkujtojnë këtë përvjetor të rëndësishëm. Përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve të këtij jubileu, duke nderuar idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë.
Përveç pullës postare me vlerë nominale prej €2.10, e vendosur në tabak të dizajnuar me katër pulla postare, emetohet edhe Zarfi i Ditës së Parë, i cili, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë, paraqet një tërësi të veçantë filatelike.




