
Raporti: Fjolla Xheladini/Kanal10
Pas disa ditësh qetësie, paraditen e së martës, alarmi është rikthyer sërish në komunat e veriut të Kosovës.
Lëshimit të këtij sinjali, i ka paraprirë një aksion i Policisë së Kosovës, përmes së cilit është prangosur Milun Milenkoviq, njëri nga udhëheqësit e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”.
Ky aksion policor, ka nxitur reagimin e serbëve, me ç’rast janë lënduar tre zyrtarë policorë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se i arrestuari u ka prirë bandave kriminale në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.”
Ai ka thënë se koha e bandave kriminale në veriun e vendit ka përfunduar.
“Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset.”
Pas lëshimit të alarmit, kanë nisur të mblidhen qytetarë serbë, me ç’rast është rritur edhe prania e forcave policore, një veturë e së cilave është goditur me gurë, duke i thyer xhamat e saj.
Gjatë së martës, gjithashtu janë rikthyer edhe sulmet ndaj veturave të mediave shqiptare, me ç’rast janë lënduar gazetari dhe kameramani i ATV-së, për çka sërish ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Ndërkohë, në paraditen e së martës, ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, e ka vizituar në objektin e komunës, kryetarin e Leposaviqit, Lulëzim Hetemi.
Derisa, ministri Aliu ishte duke dalë nga objekti komunal, në drejtim të tij janë hedhur vezë dhe ngjyrë tek vetura.
Tensionet në veri të vendit kanë filluar nga 26 maji, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës, gjë që nga ajo ditë kishte shkaktuar protesta të dhunshme të serbëve.
Faktori ndërkombëtar vazhdon të thërras palët për shtensionim të situatës, duke e konsideruar një veprim të tillë, si urgjente.