Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prapaskenat e ndalimit të Bislimit, zbulohen detaje të reja si u provokua edhe në Merdare

Gazeta10
27 October 2022 - 18:32

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u kthye mbrapsht nga Policia serbe, pak para se ai të arrinte në Beograd, ku do të merrte pjesë në disa panele diskutimesh.

Gjithashtu, Janjiq ka thënë se ka pasur ndërlikime edhe gjatë kalimit të kufirit në Merdare.

Organizatori i ngjarjes ku do të merrte pjesë Bislimi, ka thënë se “është bërë gjithçka që është dashur sipas marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Serbisë”.

Janjiq ka thënë se shpjegimi zyrtar i dhënë nga autoritetet serbe është se “nuk kanë mundur ta garantojnë sigurinë e Bislimit”, transmeton Express.

Mirëpo, përkundër këtyre informatave, ai thotë se Bislimin e kanë ndalur edhe në Merdare, për ta pyetur nëse takimi në Beograd është i lajmëruar tek autoritetet.

Tutje, ai ka shtuar se asnjëherë nuk i ka lajmëruar te autoritetet tubimet e tij e as nuk ka pritur për aprovime. Ai ka thënë se aty kanë qenë të ftuar zyrtarë të parlamentit dhe Qeverisë si edhe Petar Petkoviç nga Zyra për Kosovë, kështu që i bie se kanë qenë të njoftuar.

“Natyrisht se oficeri ndërlidhës i Kosovës ka ndërmarrë krejt çka duhet duke komunikuar me Forumin si organizator, qeveritë e Kosovës e Serbisë dhe Miroslav Lajçakun” thekson Janjiq.

“Unë mendoj që kjo çon një mesazh të keq, që nuk mund ta garantojmë sigurinë e një personi, që erdhi të flasë për perspektivën evropiane të rajonit”, thotë Janjiq për “Danas”.

Për vizitën e Bislimit në Beograd kishte njoftuar dje Zyra e Kryeministrit Albin Kurti. Në njoftimin e ZKM-së, ishte sqaruar se Bislimi do të merrte pjesë në disa diskutime për perspektiven evropiane dhe për raportet Kosovë – Serbi.

Ekziston një marrëveshje e nënshkruar në Bruksel, sipas së cilës, zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë marrin paraprakisht leje, para se të hyjnë në shtetin tjetër./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.