
Raporti: Egzona Shala
Reagime të shumta ka nxitur përjashtimi nga puna i aktores së vetme shqiptare në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, Egzona Salihu. Një vendim të tillë, ajo e quan politik, derisa drejtori e ka fajësuar atë për vonesa në punë. Kurse, kryetari i Preshevës aktoren Salihu e ka quajtur aktiviste të Shaip Kamberit.
Rivalitetet mes partive shqiptare, në shumë raste kanë prekur edhe pjesëtarë të fushave tjera.
Si pasojë e këtij rivaliteti, duket se e ka pësuar edhe e vetmja aktore në Shtëpinë e Kulturës, në Preshevë, Egzona Salihu, e cila të mërkurën është përjashtuar nga puna, me arsyetimin se nuk e ka respektuar orarin.
Pikërisht, përjashtimin e saj nga puna, sipas Salihut, ka ndodhur për inate politike, derisa ka thënë se një gjë e tillë ishte planifikuar tash e një vit.
Por, këto pretendime të Salihut, i ka mohuar drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, Kujtim Sadriu, i cili ka thënë se përjashtimi i aktores ka ardhur si shkak i mungesave të shumta të saj.
Por, Salihu ka thënë se asnjëherë nuk ka munguar pa lejen e drejtorit, për çka ka thënë se ka dëshmi.
Për këtë rast, ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili përjashtimin e aktores nga puna, e ka cilësuar si të papranueshëm, duke e akuzuar qeverisjen komunale për një vendim të tillë.
Kurse, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka mbështetur vendimin për përjashtimin e saj nga puna, derisa aktoren e ka quajtur aktiviste të Shaip Kamberit.
“Jam themelues i teatrit të qytetit dhe e kam punësuar këtë zonjushë edhe pse është aktiviste e Shaip Kamberit. Çka me thanë ma shumë, kjo është arsyeja e tërë. Besoj s’ka nevojë më shumë”
Ndryshe, Egzona Salihu ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, por asaj nuk i është lejuar të punojë me kontratë të rregullt në teatrot e Kosovës, pasi është nënshtetase e Serbisë.
Ndërsa, as në Serbi nuk i është lejuar të punësohet si aktore, pasi shteti serb ende nuk ka bërë njohjen e diplomave dhe për këtë arsye në kontratën e saj figuron si ndriçuese, e jo si aktore.
E lidhur me mosnjohjen e diplomave, njohës të arsimit kanë thënë se institucionet e Kosovës nuk po bëjnë mjaftueshëm.
Aktorja Egzona Salihu ka ushtruar profesionin e saj mbi pesë vite në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, derisa ka luajtur në shumë shfaqje teatrale si aktore e jashtme edhe në teatro të Kosovës./Gazeta10