
Raporti: Viola Korça
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë për vitin që lamë pas. Nga liderët shtetëror, Osmani po del të jetë më e pasura, ku bashkë me bashkëshortin e saj kanë pasuri të paluajtshme në vlerë prej 970 mijë e 760 euro. Kurse, kryeministri Kurti ka deklaruar para të gatshme në bankë në vlerë prej 119.58 euro dhe jeton në banesë me qira prej 250 eurosh.
E kryeparlamentari Konjufca ka deklaruar një banesë, një depo dhe një parking – si pasuri të paluajtshme.
Toka, shtëpi, banesa, para të gatshme e pasuri të tjera, të gjitha i kanë deklaruar krerët e shtetit në regjistrin e pasurisë të zyrtarëve publik që publikohet për vitin paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Në mesin zyrtarëve publikë edhe tre liderët institucional e kanë deklaruar pasurinë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
E më e pasura nga të tre sipas deklarimit të pasurisë është presidentja Osmani.
Osmani ka deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë pasuri të paluajtshme në vlerë prëj 970 mijë e 760 euro.
Te Pasuria e luajtshme është deklaruar vetëm një veturë Mercedes Benz e blerë në vitin 2022 dhe që ka vlerë 12 mijë euro.
Presidentja Osmani i ka deklaruar edhe 294 euro para të gatshme në bankë.
Kurse ka deklaruar se ka pagë vjetore neto prej 33 mijë eurosh dhe mëditje prej 7 mijë e 678 eurosh.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar edhe një herë se jeton në banesë me qera dhe se të njëjtën e paguan rreth 250 euro në muaj.
Kurti ka deklaruar para të gatshme në bankë në vlerë prej 119 euro, ndërkaq për gruan e tij ka deklaruar se ka 10 mijë euro në bankën DNB në Norvegji.
Kurti tek pasuritë e paluajtshme ka deklaruar apartamentin në Oslo të Norvegjisë prej 67 metrave katrorë në vlerë 400 mijë euro. Siç është përshkuar në formularin e pasurisë, kjo pronë është në emër të bashkëshortes, e blerë përmes kredisë.
Për sa i përket pagave, kryeministri Kurti merr pagë vjetore në vlerë prej 16 mijë e 647 euro. Ndërkaq, bashkëshortja e tij merr pagë mujore në vlerë prej 46 mijë e 989 euro.
Kurse Kryeparlamentari Konjufca ka deklaruar se në emër të tij e ka një banesë, një depo dhe një parking – si pasuri të paluajtshme.
Të gjitha këto, së bashku kapin vlerën e 67 mijë e 293 euro dhe sipas deklarimit janë blerë me kredi dhe kursime.
Ndërkohë në deklaratë duket edhe pasuria e deklaruar në emër të prindërve të Konjufcës, ku figurojnë dy banesa, një shtëpi dhe tri toka.
Konjufca në deklarim ka treguar një detyrim financiar në një bankë prej 36 mijë e 595 euro nga një kredi e marrë në vitin 2019 në vlerë prej 61 mijë e 424 euro.
Si vlerë e parave të gatshme që posedon, Konjufca ka deklaruar 6 mijë e 6 euro.
Nga të hyrat vjetore përmes pagës, Konjufca përfiton rreth 34 mijë euro, ndërsa nga mëditjet për udhëtime jashtë vendit ka të deklaruara 652 euro.
Përveç krerëve të shtetit, Agjencia për parandalimin e korrupsionit ka publikuar edhe pasurinë e zyrtarëve të tjerë publik./Gazeta10