Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë, përplasje mes PDK-së dhe VV-së

Gazeta10
29 November 2022 - 12:44

Në Komisionin për Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policiorë ka pasur një përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta10.

Kështu, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka thënë se Policia e Kosovës ka nevojë për të pasur një ligj të tillë.

“Vërtet Policia e Kosovës ka nevojë për të pasur një ligj të tillë. Me këtë projektligj propozohet rregullimi ligjor i kohës të së drejtës në pension. Do të rregullohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve”, ka thënë ajo.

Më tej, Musliu ka thënë se rrezikohet që Policia e Kosovës të jetë më e vjetra në rajon.

 “Po rrezikohemi të jemi policia më e vjetër në rajon, ne kemi ardh në përfundim që është nevoja të marrim këtë iniciativë, t’i propozojmë Kuvendit nxjerrjen e këtij ligji. Pres që në mes të dy leximeve të jepen rekomandime që ky projektligj të përfundojë si ligj dhe të jetë i aplikueshëm”, përfunduar Musliu, njofton KP.

Deputetit i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se kjo nismë është bërë nga PDK-ja.

“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur që të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale me çka do të hapej rruga edhe qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”, ka thënë Dugolli.

Më tej, ai ka përmendur marrëvshjen ndërkombëtare që lidhen me skema për pensionim dhe që të njejtën e ka refuzuar PDK-ja dhe LDK-ja.

“Qe dy herë radhazi është rrëzuar një marrëveshje ndërkombëtare, PDK dhe LDK e rrëzuan , ajo marrëveshje do të vije prapë në Kuvend dhe thërras kolegët deputetë ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe pastaj të punojmë të gjithë së bashku por kjo ka një rend, qeveria bën planifikimet dhe ajo të na sjell Ligjin për pensionim për Policinë e Kosovës por edhe ligjin që rregullon njëherë e mirë skemat pensionale”, ka shtuar ai.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se Enver Dugolli nuk e di çka flet.

“Nganjëherë kolegu Enver nuk e di çka flet, ja fut kot, deputeti nuk vjen këtu me bë lojna, por propozojnë ligje”, ka thënë ai.

Dugolli është përgjigjur duke thënë se nuk janë kundër ligjit për pensionim të parakohshëm të Policisë së Kosovës dhe se ky ka qenë premtim i tyre.

“E di çka po flas, nëse nuk do me kuptu është tjetër çështje. Nuk themi që jemi kundër ligjit për pension të parakohshëm të Policisë së Kosovës. Ka qenë premtim i yni dhe kjo do të bëhet”, është përgjigjur Dugolli.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka thënë se e mbështet këtë ligj por pret që të vjen nga Qeveria. Ajo ka përgëzuar deputetët për këtë iniciativë.

“Mos të na shihni neve këtu si pjesë e pushtetit dhe të thoni se jemi kundër. Ne jemi për këtë ligj por presim që ky ligj të na vjen nga qeveria, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme. Por fillimisht duhet rregulluar Ligji për paga dhe për shërbyes civilë. Kur të vjen nga qeveria vjen me një tabelë që mund te realizohet. Ne mund ta votojmë këtu por sa mund të jetë e zbatueshme në teren. Ju përgëzoj për iniciativën por pres qe ky ligj të na vjen nga qeveria”, ka thënë Selimi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni, ka thënë se e përkrah këtë projektligj, por me një kusht.

“Në momentin që autoritetet e qeverisë e sigurojnë që mund të prodhojnë një projektligj që për një presje është më i mirë se ky, do e keni përkrahjen time”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.