Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prokuroria në Ferizaj e konfirmon zyrtarisht se Festim Ramadani e vrau burrin e tezes

Gazeta10
20 August 2024 - 19:03

Tashmë është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria Themelore në Ferizaj se Festim Ramadani ka vrarë burrin e tezes së tij, Sadri Sadriun. Për rrethanat që mund të kenë çuar deri tek vrasja thanë se janë duke hetuar ende. Zyrtari policor Ramadani zgjodhi heshtjen si mjet për t’u mbrojtur. Deklaratat e dëshmitarëve, familjarë të Sadriut dhe provat materiale në vendngjarje ishin baza mbi të cilën u vendos që Ramadani dhe Jeton Misini të përfundojnë në paraburgim prej një muaji. Krejt çfarë dihet deri më tani për vrasjen që tronditi të premten Ferizajn.

Festim Ramadani ka zgjedhur heshtjen për të mos treguar për motivin që e shtyu të kryej vrasjen e rëndë të  Sadri Sadriut, të premten mbrëma, në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, aty ku 89 vjeçari kishte shkuar për ta martuar nipin. Asgjë s’ka të konfirmuar deri më tani, përveç deklaratave të prokurorisë në Ferizaj se vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive të ulëta.

Arben Isufi avokat i Ramadanit tha , se klienti i tij deri në këtë fazë është mbrojtur në heshtje dhe për këtë arsye as motivi nuk dihet.

“Deri në këtë fazë të mbrojtjes në heshtje, për motivin nuk mundemi me ditë, ne pa u deklaruar ai. Çdo deklarim tjetër është vetëm supozim. Pa u deklaruar ai ne nuk mundemi me përcaktu motivin e kryerjes së veprës”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar sot për Express se viktima Sadri Sadriu ishte burri i tezes së Festim Ramadanit.

“Viktima (S.S) dhe i dyshuari (F.R) janë në lidhje familjare, konkretisht, tashmë i ndjeri S.S., ka qenë burri i tezes së të pandehurit F.R.”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

Tutje, ata thonë se rasti është në procedurë hetimore dhe se po tentohet të zbardhen të gjitha rrethanat e veprës penale.

“Rasti aktualisht është në procedurë hetimore dhe Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave rreth kësaj çështje penale”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.

Në ndërkohë, në arsyetimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Festim Ramadanit dhe Jeton Misinit, thuhet se të njëjtit kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe se për t’i lënë të mbyllur  janë marrë parasysh edhe dëshmitë e tre dëshmitarëve, që janë familjarë të Sadriut.

Sipas tyre gjithçka ka ndodhur kur dy vetura janë ndalur në parkingun e një restoranti në Bibaj të Ferizajt, dhe më pas kanë filluar të shtënat në drejtim të Sadriut.

“Vërtetohet nga dëshmitë e I.S., A.S., dhe N.S., të cilët mes të tjerash kanë deklaruar se më 16.08.2024, rreth orës 19:20, kanë arritur në vendin e ngjarjes së bashku me të ndjerin kur për një moment me dy automjete të ndryshme kanë arritur Festim Ramadani dhe Jeton Misini dhe posa kanë zbritur Jetoni është vërsulur me teshlicë në dorë, kurse Festimi ka shtënë me armë automatike në drejtim të të ndjerit Sadri Sadiu, i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, rrethanë e cila vërtetohet edhe nga provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes”, thuhet në dokumentin për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve.

Më tutje në po këtë dokument pohohet se dëshmitarët dhe personat tjerë janë në dijeni lidhur me rrethanat që i kanë paraprirë kryerjes së kësaj vepre.



Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.