
Protesta e opozitës sot në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para.
Tensionet u zhvendosën para Kryeministrisë, ku protestuesit marshuan dhe u stacionuan.
Ata kanë hedhur gurë dhe molotov në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Një protestues nuk është ndjerë mirë, dhe është transportuar në spital me ambulancë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të të lënduarve deri në orën 14:00 – një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëra prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtim nga mjekët në shërbimin e urgjencës.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e mirë.