
Në Mitrovicën e Veriut të dielën është mbajtur një protestë – e thirrur nga Lista Serbe – për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS – Republika e Kosovës.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, transmeton Gazeta10.
Përveç vendimit për targat, krerët e Listës Serbe kanë kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në fjalimin e tij në protestë, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka kërkuar që Asociacioni të formohet, siç është rënë dakord në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Rakiq u ka bërë thirrje protestuesve që të “mos bien në provokime, të vazhdojnë luftën me mjete paqësore dhe demokratike”.
Ai ka përsëritur se ata “mbrojnë Marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare publike”.
Një ditë më parë, Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Igor Simiq nga Lista Serbe – i cili, po ashtu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës – ka thënë se i është dhënë një mundësi dialogut në Bruksel, mirëpo nuk duan të jenë më “front” për autoritetet e Kosovës.
Sipas tij, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë pritur dhjetë vjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Simiq, më pas, i ka ftuar të pranishmit në protestë që të përshëndesin nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiqin, i cili aktualisht është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në krim të organizuar ndërkombëtar.
Atë e kërkon edhe Kosova, pasi autoritetet e drejtësisë e lidhin emrin e Radoiçiqit edhe me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Fjalime në protestë kanë mbajtur edhe punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe gjyqësorit të Kosovës.
Ata i janë drejtuar turmës me mesazhin se janë kundër “shkeljes së të drejtave elementare”, se nuk do të lejojnë “përzënien nga këto zona”.
Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë kanë thënë se nuk do të punojnë më për institucionet e Kosovës.
Sipas tyre, protestat po mbahen për të parandaluar “autoritetet e Kosovës që t’i ndajnë nga Serbia”./REL/Gazeta10.