
Qytetarët shqiptarë protestuan të dielën në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katër drejtuesit e UÇK-së.
Edhe në këtë protestë iu dha mbështetje e fuqishme UÇK-së dhe krerëve të saj në Hagë.
Protestuesit mbanin në duar pankartat: “Drejtësi, jo gjykim të lirisë”, “Liria ka emër” dhe “Jo në emrin tim”.
Folësit e kanë quajtur hipokrizi dënimin në emër të popullit, duke potencuar se “asnjë popull nuk i dënon çlirimtarët e tij”.
Protesta të tilla të dielën mbajtën edhe mërgimtarët edhe në Melburn të Australisë, në Oslo të Norvegjisë dhe në Gjenevë të Zvicrës.
Protesta po mbahen çdo ditë që nga 16 shtatori kur u shpall aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.