
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Përveç në Shtërpcë, serbët kanë protestuar edhe në Mitrovicë të Veriut. Por, për dallim prej herëve të tjera, ata kanë protestuar kundër presidentit të Serbisë, Alexandër Vuçiq dhe kundër Listës Serbe. Ata kanë thënë se Lista Serbe nuk mund t’i përfaqësojë. Protestuesit e kanë quajtur tradhtar Vuçiqin, derisa kanë thënë se nuk e duan as Asociacionin, shkruan Kanal10.
Dhjetëra qytetarë nga komuniteti serb, janë mbledhur të dielën, në qendër të Mitrovicës së Veriut.
Por, për dallim prej herëve të tjera, protesta e tyre është thirrur kundër presidentit të Serbisë, Alekdandar Vuçiq dhe Listës Serbe.
Me këngë nacionaliste për Kosovën, serbët lokalë e filluan protestën duke shpalosur edhe pankartën në të cilën shkruhej “Vuçiq, Kosova nuk të dëshiron, na ke tradhtuar, nuk e duam as Asociacionin tënd, na ke shitur”.
Nebojsha Joviq, kryetar i të ashtuquajturës ‘Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës’, ka kërkuar nga presidenti serb të ngrijë bisedimet me Prishtinën.
Ai ka thënë se Lista Serbe nuk mund t’i përfaqësojë ata.
“Kryetar, ngrijë bisedimet, i ke pasur barrikadat si adut për t’u tërhequr ROSU-ja nga veriu, i ke larguar barrikadat, nuk e di pse, askënd pa e pyetur…Do të thotë ky ka qenë vendim i Listës Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit…Kryetar ngrijë bisedimet dhe derisa të tërhiqen njësitë e ROSU-së nga veriu, sepse prezenca e tyre këtu nuk është as sipas kushtetutës së Serbisë, as të rezolutës 1244, dhe nuk është as sipas kushtetutës së tyre, dhe nëse është jolegale, atëherë kryetar pse po hesht…Duam që zëri ynë të dëgjohet. Neve më Lista Serbe nuk mund të na përfaqësojë, as politika e këtillë e Aleksandar Vuçiqit”, tha Nebojsha Joviq – Kryetar i “ Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës”.
Në protestën në të cilën kanë marr pjesë rreth 200 protestues, serbët janë shprehur të pakënaqur me largimin e barrikadave.
“Kërkesa jonë themelore ka qenë që të lirohen vëllezërit tanë të arrestuar padrejtësisht, është liruar vetëm Dejan Pantiq. Kemi kërkuar që të gjitha njësitë e Rosu-së të tërhiqen nga veriu, sepse s’kanë çka të kërkojnë këtu…Do të thotë nga të gjitha kërkesat asnjëra nuk është plotësuar, ndërkohë që barrikadat janë hequr”, tha Ivan Miletiq – qytetar serb.
Protesta ka zgjatur disa minuta dhe ky aktivitet është monitoruara nga pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it dhe më pas ajo ka përfunduar e qetë.