
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion të hënën para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Flamujt e këtij institucioni, aktivistët e kësaj partie i zëvendësuan me flamuj që përmbanin kartëmonedhën 500-euroshe, me fytyrën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Nol Nushi, sekretar organizativ i PSD-së, tha se kurrë në historinë e Kosovë nuk ka ndodhur që të ketë një ambasador të akuzuar për një varg shkeljesh e keqpërdorimesh.
“Është shndërruar në një ministri, e cila e ka kap flamurin e mbrojtjes së skandalit të Martin Berishaj, më kjo ministri më nuk e përfaqëson Kosovën sepse nuk ka asnjë aktivitet të përfaqësimit të Kosovës nga jashtë është krejt mekanizmi i kësaj ministrie dhe praktikisht krejt mekanizmat shtetërorë janë vënë në kor dhe mbrojtje të skandalit Martin Berishaj. Duhet të themi se kurrë më parë një skandal i përmasave të tilla nuk ka ndodhur në diplomacinë e Kosovës, po flasim për një ambasador, i cili e ka të kryer filozofinë, por dokumentet që po dalin çdo ditë po del që ai nuk merret praktikisht me filozofinë. Ai është thjesht është një tregtar energjie me qarkullime milionëshe”, u shpreh ai.
Nushi u shpreh se me shumë gjasa Prokuroria e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj.
Ndërsa, shtoi se mbrojtja e Berishajt nga krerët shtetërorë është bazë e fuqishme të besohet se shiritit i shkeljeve arrin deri te presidentja, kryeministri e ministrja e MPJD-së.
Sekretari organizativ i PSD-së, theksoi se nuk do t’i lënë rehat zyrtarët qeveritarë me aksione të tilla derisa të shkarkohet nga pozita e ambasadorit Martin Berishaj.
“Ne nuk do t’i lëmë rehat zyrtarët qeveritarë derisa ky shkarkim të ndodhë, ky është vetëm fillimi i një serie të aktiviteteve për shkarkimin e këtij ambasadori i cili është atje ta përfaqësojë Kosovën e jo biznesin e tij të energjisë elektrike me qarkullime milionëshe të dyshimta”, tha ai./Gazeta10