
Harry Kane me shumë mundësi do të largohet nga Tottenham në fund të këtij sezoni dhe PSG ka hyrë në garë për të siguruar nënshkrimin me të për edicionin e ardhshëm.
Klubi francez do të rivalizoj Manchester Unitedin në garën e ashpër që pritet të zhvillohet për sulmuesin anglez.
Siç raportojnë mediat franceze, drejtori sportiv i PSG-së Luis Campos, është duke planifikuar një lëvizje për Harry Kane teksa kampionët në fuqi të Francës po shikojnë për të përforcuar fazën ofanzive.
Mësohet se disa muaj më parë presidenti i PSG-së Nasser Al-Khelaifi, u takua me shefin e Spurs, Daniel Levy, për të diskutuar mundësine e investimit të Katarit në klubin nga Londra Veriore, prandaj marrëdhëniet e mira midis tyre mund të lehtësojnë rrethanat për transferimin e Kane.
Një arsye e fortë pse Parisi po tenton transferimin e anglezit është edhe për faktin se e ardhmja e Leo Messit është e pasigurtë.
Fituesi i Kupës së Botës ka kontratë valide deri në fund të këtij sezoni, dhe deri më tash nuk ka shprehur dëshirën për të vazhduar më tutje në kryeqytetin francez.
Kane në anën tjetër, do të mirëpriste një transferim tek Parisi, pasi dëshira e tij është që të fitojë Ligën e Kampionëve.
29-vjeçari është pjesë e Tottenham që nga sezoni 2012/13, dhe deri më tani ka kontribuar me 273 gola e 63 asistime.