
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci ka thënë se ky diakster nuk është i autorizuar të diskutojë për ndryshimet e pagave në sektorin e arsimit, për çka edhe SBASHK-u dhe BSPK-ja janë duke mbajtur grevë, shkruan Gazeta10.
“Ministria jonë nuk kemi autorizime të diskutojmë për diçka të tillë, sepse ne ato para nuk i kemi. Ne i kemi diku 84 mijë punonjës në sektorin publik dhe nëse secilit i shtohet nga 100 euro, bëjnë 8.4 milionë në muaj. Bëhet një shumë që është e papërballueshme”, tha Popovci.
Popovci në Info10 tha se kjo ministri nuk ka informacione se sa mësimdhënës i janë bashkuar grevës, por që sipas tij, edhe mësimdhënësit që nuk i janë bashkuar grevës, duhet ta ushtrojnë të drejtën e tyre të punës.
‘Nuk kemi informacion sa janë në grevë e sa s’janë. Por, ashtu nëse i mundësohet dikujt të bëhet pjesë e grevës, duhet t’i mundësohet të punojë edhe atyre që s’janë në grevë. Nuk jemi për të krijuar konfrontime mes mësimdhënësve dhe prindërve, mirëpo aty ku mësimdhënësit ku janë të përcaktuar për të punuar, mësimi duhet të mbahet normalisht”, ka shtuar Popovci. /Gazeta10