Duke folur për fitoren 3-0 të Barcelonës ndaj Atletico Madridit, Xavi Hernandez deklaroi se ekipi është duke luajtur shumë mirë.
Madje, ai bëri edhe një shaka, duke deklaruar se që kur njoftoi se do të largohej nga klubi katalunas në fund të sezonit, ekipi po luan më mirë.
“Mendoj se kjo ishte ndeshja perfekte për të treguar qasjen tonë, filozofinë tonë të lojës. Jemi shumë të lumtur, gjithçka shkoi perfekt dhe sipas planit”, deklaroi Xavi.
“Që kur njoftova vendimin tim për t’u larguar, skuadra po luan më mirë. Ne po presim më shumë, po sulmojmë më shumë, po mbrohemi më shumë”.
“Kjo është një fitore spektakolare, tri pikë të arta. Kjo është Barça që duam të shohim. Si trajner, jam shumë i lumtur sot”, vazhdoi ai.
Xavi në fakt ka të drejtë këtu, sepse që kur ai njoftoi vendimin e tij për t’u larguar si trajner i Barcelonës më 27 janar, skuadra nuk ka humbur asnjë lojë pas asaj date.
Blaugranët gjithashtu kanë qenë në gjendje të qëndrojnë më afër garës për titull në La Liga dhe aktualisht janë tetë pikë prapa Real Madridit.