
Situata në veri të vendit vazhdon të jetë jo e zakonshme, për shkak të tensioneve të krijuara rishtazi nga serbët lokalë që shfaqen edhe dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve duke protestuar për kërkesat e tyre.
Madje, sot në veri pati sulme edhe ndaj dy civilëve shqiptarë.
Në njërën nga katër komunat veriore, Zveçan prej nga edhe po raporton gazetarja e Kanal10, Saranda Aliu, situata është e qetë dhe protesta është duke vazhduar pa tensione, ku serbët lokalë janë vendosur nën disa çadra për shkak të motit.
‘’Në fakt kanë mbetur edhe kaq protestues që nga orët e hershme kur ka filluar protesta. Ata po qëndrojnë në çadra dhe janë duke vazhduar protestën e tyre në mënyrë paqësore pa tensione. Pra edhe gjatë ditës nuk është se ka pasur më shumë qytetarë që kanë protestuar. Sot është shtuar numri edhe i pjesëtarëve të KFOR-it rreth qendrës së Komunës së Zveçanit dhe një shenjë që tregon ndalimin e qarkullimit në atë pjesë të protestueseve dhe gazetarëve. Protestueseve iu janë bashkuar edhe një grup minatorësh dhe punonjës së një çerdheje. Nuk ka pasur tensione dhe këtu shihen pjesëtarët e KFOR-it që po monitorojnë situatën, ndërkohë që zyrtarë policorë nuk kemi parë.”, ka raportuar ajo./Gazeta10