Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qeveria studentore e Serbisë: Katër ditë punë në javë pa ulje të pagës

Gazeta10
23 November 2026 - 12:38

Qeveria e re studentore në Serbi synon të kufizojë transmetimin e shout të realitetit në vetëm 45 minuta në ditë dhe të promovojë javën katërditore të punës, me 32 orë pune në javë pa ulje të pagave.

Lëvizja Studentore, e cila në zgjedhjet e 25 tetorit rrëzoi pushtetin e Aleksandar Vuçiq, siguroi 140 nga 250 ulëset në Kuvend, por ende nuk ka një kandidat të qartë për kryeministër. Deputetët e saj u betuan të martën në Kuvendin Kombëtar në Beograd, shkruan Telegraph.

Një nga reformat e propozuara është ndalimi i transmetimit të programeve të realitetit në televizionet kombëtare pa pagesë para orës 23:00 dhe kufizimi i tyre në 45 minuta në ditë.

Emisionet do të mund të vazhdojnë në platformat me abonim, me kufizime moshe dhe kontroll prindëror. Transmetuesit do të detyrohen gjithashtu të ndërpresin menjëherë programet në rast të dhunës, kërcënimeve ose gjuhës së urrejtjes.

Lëvizja synon edhe reforma në tregun e punës, duke propozuar javën katërditore, kufizimin e punës jashtë orarit në tetë orë në javë dhe ndalimin e kontaktimit të punonjësve jashtë orarit të punës.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se këto reforma ekonomike mund të jenë më të përshtatshme për vendet e pasura skandinave sesa për Serbinë, si vend me të ardhura mesatare.

Në politikën e jashtme, lëvizja synon përshpejtimin e reformave për anëtarësim në BE, por nuk mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe synon të ruajë bashkëpunimin dypalësh me Moskën, duke ulur njëkohësisht ndikimin e saj në institucionet serbe.

Përfaqësuesit e saj kanë paralajmëruar gjithashtu ndërprerjen e tregtisë së armëve me Izraelin dhe anulimin e një projekti për dronë të lidhur me këtë shtet.

Sa i përket Kosovës, qëndrimi zyrtar i lëvizjes është vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa synim për njohjen e pavarësisë së saj.

Lëvizja Studentore u krijua pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja nxiti protesta masive kundër korrupsionit qeveritar, të cilat përfundimisht çuan në rrëzimin e pushtetit të Vuçiq.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.